Monday, June 13, 2005

 

JESEN-PETERSEN: STATUS- KUOJA E KOSOVËS ËSHTË E PAQËNDRUESHME

Prishtinë, 13 qershor(asdrenOnline)

Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet, sepse zgjidhja e kësaj çështjeje do t’i hapë rrugë integrimit të Kosovës dhe vendeve të rajonit në Evropë. Kështu është thënë në konferencën që po mbahet në Prishtinë më temën “Statusi i ardhshëm i Kosovës”
Shefi i administrates ndërkombëtare në vend, Soren Jessen Petersen tha se situata e sigurisë në Kosovë është e mirë, por ende mbetet e ndjeshme dhe për këtë pohoi se liderët e Kosovës duhet jo vetëm të flasin, por të jenë më kompetent dhe më të përkushtuar për të krijuar gjendje të qetë për të gjithë në Kosovë.
“Në Kosova po bëhet përparim. Dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit, për çështje teknike, po jep rezultate të mira”- tha kryeadministratori Petersen.
Duke folur për gjendjen e minoriteteve në vend, kryeadministratori I Kosovës Soren Jesen Petersen ka shprehur këqardhjen që autoritetet serbe ne Beograd ende nuk po ua jap serbëve të Kosovës dritën e gjelbër që t’i bashkëngjiten dhe të ushtrojnë funksionin e tyre në institucionet e Kosovës. Petersen tha se liderët e Kosovë kanë mundësi ta bëjnë pjesën e vet, por gjithsesi edhe Beogradi duhet ta luaj rolin e vet. Nga liderët e Kosovës, tha Petersen është serioze të mundësohet liria e lëvizjes, kthimit, por e njëjta gjë vlen edhe për zyrtarët e Beogradit të cilët duhet t’u ndihmojnë pakicës serbe inkuadrimin në institucione.
Ndërkaq, për hapat që I ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për integrimine pakicave, Petersen tha se ka përparime. Sipas tij një numër i madh i vendeve të punës për minoritete është hapur në ministritë e Kosovës.
“Ka përparime edhe në rindërtimin e objekteve fetare. Përparime po ashtu ka edhe në përfshirjen e minoritetve në Shërbimin Policor të Kosovës, që me shifra e përbëjnë 10 për qind të SHPK-së”, tha Jessen-Petersen.
Kryeadministratori Soren Jessen-Petersen tha se përkunder të arriturave në Kosovë, për bashkësinë ndërkombëtare është e paqëndrueshme mbajtja e status “quos” në Kosovë. “Ndërkombëtaret e kanë bërë të qartë se bisedat për status do të fillojnë gjatë këtij viti dhe tash varet nga liderët politikë dhe institucionet që të tregojnë se ata janë duke vepruar në ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë”- tha në fund të fjalës se ti Soren Jesen- Petersen.
Këshilltari politik i presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Sali Cacaj tha se institucionet e Kosovës po punojnë pa dallime etnike dhe fetare. Ai tha se tashme ne Kosovë janë krijuar institucione demokratike të cilat edhe pse janë të reja kanë treguar pjekuri të madhe politike në udhëheqjen e vendit.
Duke folur në temën “Rëndësia e forcës vendore të mbrojtjes për stabilitet në rajon”, komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), gjeneral lejtënant Agim Çeku, tha se çështjet e segmentit të sigurisë janë dashur të shqyrtohen edhe më herët. Sipas gjeneral Çekut Kosova tashme ka bërë disa hapa në krijimin e strukturave adekuate të sigurisë. “Kosova, ka TMK-në, e cila në opinionin vendas shihet si forcë e ardhshme e mbrojtjes dhe ka një strukturë pothuajse ushtarake, duket si ushtri, mendon si ushtri, jeton si ushtri dhe ka vizion për të ndërtuar këtë ushtri”, tha Çeku
Sipas gjeneral lejtënant Agim Çekut Kosova ka nevojë për kapacitete të mirëfillta të mbrojtjes. “Pashmangshëm shtrohet nevoja e transformimit të TMK-së në një forcë vendore të mbrojtjes, sepse është vështirë të imagjinohet shteti i Kosovës pa forcë të vetë mbrojtëse. Me një fjalë, Kosovës i duhet forca e vet mbrojtëse për një varg arsyesh. Forca e tillë do të hiqte rreziqet e paternalizmit e të krijimit të vartësisë, që me vete sjell mospërfshirja e kosovarëve në çështjet thelbësore të jetës së tyre”, Çeku.
Natasa Miçiç, anëtare e Kuvendit të Serbisë dhe ish-kryetare e këtij kuvendi tha se askush nuk mund ta ndryshojë të kaluarën, por tha ajo, të gjithë ne duhet të mundohen që të punojnë për të ardhmen. Aja tha se shqiptarët tash shumicë në Kosovë duhet të mësojnë nga serbët shumicë që kanë qenë në ish-Jugosllavi dhe të kujdesën më shumë për pakicat. “Atëherë ekstremizmi i elitës politike të Beogradit na ka sjellë deri te pasojat e rënda të cilat i kanë paguar edhe vet serbët”, tha Miçiç.
Konferenca "Statusi i ardhshëm i Kosovës", i vazhdon punimet edhe neser.

Comments: Post a Comment

<< Home

This page is powered by Blogger. Isn't yours?