Monday, June 06, 2005

 

Kosumi: Detyra jonë e parë, jetësimi i shtetit të Kosovës

Prishtinë, 5 qershor (asdrenOnline)

Kryeadministratori i Kosovës dhe kryeministri Bajram Kosumi u kthyen sot nga një vizitë disaditëshe në disa vende të rajonit. Jese Petereseni tha se ishte një rast i mirë për kryeministrin Kosumi që të paraqiste pikëpamjet e Kosovës në konferencën e Zagrebit e poashtu edhe gjatë takimeve që ai ka mbajtur në Slloveni e Kroaci.
Kryeministri Kosumi me të arritur në Aeroportin e Prishtinës tha se ideja themelore, që është diskutuar në konferencën e Zagrebit, kanë qenë mundësitë e integrimeve evropiane të shteteve të Ballkanit perëndimor. Kosumi shtoi se ka qenë një konferencë e mirë, në të cilën ka pasur shumë propozime të mira. “Fatkeqësisht kjo është bërë nën hijen e dështimit të referendumit për kushtetutën evropiane në Francë dhe Holandë, si për pjesëmarrësit që ishin prej kryeqyteteve evropiane, por edhe ata nga rajoni”,- deklaroi Kosumi. Qëndrimi i tij është se pavarësisht nga dështimi i referendumit të këtyre dy shteteve, procesi i integrimit evropian i Ballkanit perëndimor nuk duhet të stopohet. “BE është Union Evropian vetëm nëse integrohen të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor”,-u shpreh kryeministri i Kosovës. Duke folur për takimet që ai ka pasur në Slloveni e Kroaci, tha se ky është një hap përpara, jo vetëm për qeverinë e Kosovës, por është një hap përpara për Kosovën, sepse takimet e nivelit të tillë i hapin derën qeverisë së Kosovës dhe në përgjithësi popullit të Kosovës për të krijuar një strategji të përbashkët për të harmonizuar qëndrimet rreth statusit të ardhshëm të Kosovës.
“Zgjidhja e çështjes së statusit është çështje prioritare. Për ne tash çështja e formimit të shtetit të Kosovës është detyra e parë që do të bëhet. Ne duhet të punojmë për të përmbushur qëllimet tona, standardet dhe shumë norma demokratike”,-vuri në pah Kosumi. Ekziston një disponim pozitiv dhe një harmonizim i qëndrimit, sipas Kosumit, se pa integrimin e të gjitha vendeve të rajonit nuk është Evropa Evropë, që do të thotë edhe pa integrimin e Kosovës. Ne gjithashtu duhet të themi se nuk jemi shumë afër procesit të integrimit evropian”,-spikati ai.Sipas Kosumit, në konferencën e Zagrebit ekzistonte një bindje se zgjidhja e statusit final të Kosovës të fillojë sa më shpejt dhe nuk do të ketë prolongim të vendimeve themelore për Kosovën. “Në takimet që kam pasur me udhëheqësit e ndryshëm, qoftë të Sllovenisë, Kroacisë edhe udhëheqësit e tjerë ekziston bindja se në shtator duhet të fillojnë bisedat për statusin final”,-vlerësoi Kosumi. “Pra këto biseda nuk do të zgjasin. Duhet të përfundojë procesi i definimit të statusit final, por jo aq shpejt sa të rrezikohet procesi. Kosumi tha se ka pasur takime me 30 biznesmenë sllovenë, të cilët kanë investuar dhe duan të investojnë në Kosovë. “Unë kam biseduar hapur dy orë me ta. Jam shumë i kënaqur me bindjet e tyre se Kosova mund të jetë një vend interesant për ta. Mesazhi që unë kam dërguar te ta dhe atë që kam kërkuar edhe nga qeveria sllovene dhe kroate është që Kosovën ta shikojnë si partner strategjik dhe të mos e shikojnë vetëm si treg. Në të gjitha takimet që kam pasur qëllimet e mia kanë qenë dy: të krijojmë qëndrime sa më shumë të përbashkëta rreth zgjedhjes së statusit final të Kosovës dhe të gjejmë përkrahje e modele dhe mundësi bashkëpunimi rajonal në kuadër të integrimeve evropiane. Unë jam shumë optimist se në këto dy qëndrime tonat ekziston një përkrahje e gjerë për këto dy qëllime

Comments: Post a Comment

<< Home

This page is powered by Blogger. Isn't yours?