Monday, July 11, 2005

 

RYKER: KJO ËSHTË NJË DITË E RËNDËSISHME PËR INDUSTRINË MINERALE NË KOSOVË

Prishtinë, 5 korrik(asdrenOnline)

Minierat e “Stantërgut”, “Hajvalisë”, “Artanës”, Feronikelit-Gllavica”, dhe ajo e Leposaviqit, janë minierat e para të cilat kanë fituar licenca për ushtrimin e punës nga Komisioni I Pavarur për Miniera dhe Minerale(KPMM). Ndërkaq licencat për ushtrimin e industrisë ndërtimore i kanë fituar, ndërmarrjet “Graniti”, “Trasingu”, “Bejta-Commerc”, “Sharr-Beteilgungs Gmbh”, “7 Shtatori”, “Lepenci”, “KAG- Asfalt”, “Fasada”, “Fertaxi”, “Boksit e Kosovës”, “Te Aleni” dhe “Guri”.
Shefi i shtyllës së IV të UNMIK-ut, Joakim Ryker, në ceremoninë e ndarjes së licencave tha se kjo është një ditë e rëndësishme për industrinë minerale në Kosovë dhe sipas tij në kohën më të duhur janë lëshuar edhe licencat më të rëndësishme.
“Me lëshimin e licencave po bëjmë një hap përpara për rivitalizimin e tërë sektorit të minierave. Licencat janë shumë të rëndësishme për “Trepçën”, “Feronikelin”, dhe për shumë ndërmarrje tjera të industrisë ndërtimore. Në këtë proces kanë punuar bashkërisht si UNMIK-u ashtu edhe institucionet e Kosovës. Bashkëpunimi i ministrisë është një çështje thelbësore për zhvillimin e industrisë minerale.”, tha Ryker, duke shtuar se pesë licencat për hulumtime do ta çojnë “Trepçën” në fazën testuese të prodhimit.
Ndërkaq, Ethem Çeku, ministër i Energjisë dhe Minierave tha se licencimi i punëve në sektorët e “Trepçës” është një hapë i suksesshëm.
“Ne shpresojmë se energjetika dhe minierat do të kenë një ndikim të madh në zhvillimin e vendit dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe në integrimin e Kosovës në Evropë”, tha Çeku.
Bordi udhëheqës i Komisionit për Miniera dhe Minerale që nga fillimi i punës së tij ka aprovuar më shumë se 50 licenca për industrinë ndërtimore. Ndërkaq martën lëshoi edhe 18 leje pune, prej të cilave 5 për miniera dhe të tjerat për ndërmarrje të industrisë ndërtimore, vlera e të cilave në treg arrin deri në 6 miliard euro.

Comments: Post a Comment

<< Home

This page is powered by Blogger. Isn't yours?