Monday, September 25, 2006

 

BPK edhe zyrtarisht bëhet Bankë Qendrore e Kosovës

UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, të premten edhe zyrtarisht shpallën Autoritetin Bankar dhe të Pagesave (BPK) si Autoritet Bankar Qendror të Kosovës (BQK), më çka kjo bankë merr më shumë përgjegjësi në mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit financiar në Kosovë.
Autoriteti Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (BPK) u shndërrua në Bankë Qendrore të Kosovës, përmes një rregulloreje të nënshkruar nga shefi i administratës ndërkombëtar Joachim Ruecker.
Paul Acda, ushtrues detyre e shefit të Shtyllës IV të UNMIK-ut, tha me këtë rast, se hartimi i rregullores se re, përmes të cilës BPK-ja shndërrohet në BQK, është përgatitur në bashkëpunim më institucionet financiare ndërkombëtare, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe me komponentët e ndryshëm të UNMIK-ut.
“Transferimi i Autoritetit Bankar të Pagesave në Autoritetin Qendror të Pagesave të Kosovës është edhe një përpjekje e administratës se UNMIK-ut për bartjen e kompetencave tek institucionet vendore”, tha Acda.
Rregullorja e re, sipas Acda-s, ia bën të qartë BQK-së fushat e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave, studimeve ekonomike si dhe pjesëmarrjen dhe anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Haki Shatri, tha ndërkaq së pret nga Banka Qendrore e Kosovës që të ndihmojë dhe përkrah zhvillimin e politikave zhvillimore të vendit.
Sipas drejtorit menaxhues të BPK-së, tashmë BQK, Michel Svetchine, tash e tutje Banka Qendrore e Kosovës do të kujdeset për funksionimin e sigurisë, solvencës dhe funksionimit efikas të sistemit financiar, të bazuar në treg të qëndrueshëm.
Banka Qendrore, sipas Svetchine, përmes rolit të saj të mbrojtësit të stabilitetit financiar do të kontribuojë në stabilitetin monetar.
Ajri Begu, kryetar i Bordi të BPK-së, tha se shndërrimi i BPK-së në BQK i përgjigjet realitetit të ri të krijuar në Kosovë.
Edhe pse BQK-ja, nuk do të këtë të drejtën e bërjes se politikave monetare, emetimit të parasë, kryetari i Bordit, tha se BQK-ja do të mundohet që t’i gjejë mënyrat për t’i zëvendësuar këto politika.
Me transformimin e BPK-së në BQK, parashihet që Bordi i BQK-së të përbëhet nga 5 anëtarë, prej tyre 3 do të jenë vendorë, ndërsa 2 ndërkombëtarë.
Një përfaqësues i Bordit të ri do të jetë nga UNMIK-u, kurse nga tre anëtarët vendor të bordit, 2 do të emërohen nga Qeveria e Kosovës, kurse anëtari i tretë do të jetë drejtori i Departamentit të Thesarit. Për anëtarët e rinj të bordit duhet merret aprovimi edhe nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë.
Menaxhmenti i BQK-së do të përbëhet nga drejtori i përgjithshëm, i cili do të jetë edhe kryeshef ekzekutiv dhe dy zëvendësdrejtorë të përgjithshëm.
BQK-ja është i vetmi organ përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave, kompanive të sigurimit dhe skemave private pensionale. Çdo bankë tjetër në Kosovë duhet të veprojë në përputhje me rregullat dhe urdhëresat e BPK-së.

Comments: Post a Comment

<< Home

This page is powered by Blogger. Isn't yours?