Friday, September 22, 2006
Brezovica privatizohet pas definimit të statusit të Kosovës
Bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), më kërkesë të përfaqësuesve të pushtetit lokal të Shtërpcës dhe pa pëlqimin e anëtarëve vendor të bordit, të enjten, vendosi që procesin e privatizimit të kompleksit turistik “Brezovica”, ta shtyjë deri pas definimit të statusit politik të vendit.
Këtë qëndrim të Bordit të AKM-së, e bëri publik shefi i ri i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Paul Acda, i cili pohoi se pro shtyrjes së procesit të privatizimit të këtij kompleksi janë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Shtërpcës.
“Duke pasur parasysh zhvillimin e negociatave për statusin e Kosovës, dhe procesit momental që po zhvillohet në Nju Jork, kemi vendosur që privatizimi i ‘Brezovicë’ mos të bëhet derisa komuniteti lokal e refuzon këtë gjë, pra pas definimit të statusit politik”, tha Acda.
Ai tha se gjatë javës se kaluar ka pasur disa takime me krerët komunalë të Shtërpcës, të cilët sipas tij, do të ishin të lumtur me privatizimin e këtij kompleksi turistik, nëse një gjë e tillë do të bëhej pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
“Jemi në kontakt të përditshëm me menaxherët dhe problemi nuk qëndron rreth asaj se a duhet të bëhet privatizimi ose jo, por kur të bëhet ai”, theksoi Acda, i cili beson se çështjen e privatizimit të “Brezovicës” do ta trashëgojë institucioni i cili do ta trashëgojë AKM-në dhe UNMIK-un pas largimit të tyre nga Kosova.
Ndryshe, ish-shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, para një muaji në Shtërpcë, ia pati bërë të qartë udhëheqësisë se kësaj komune dhe kryesuesit të delegacionit të Serbisë për bisedime për çështje ekonomike, se privatizimi i kompleksit turistik “Brezovica” do të bëhet, edhe përkundër akuzave të rënda në mbarëvajtjen e tij dhe kërkesës së palës serbe që ky proces të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
Nga ana e tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bujar Dugolli, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Bordit të AKM-së, tha se ai nuk është pajtuar me shtyrjen e afatit të privatizimit të këtij kompleksi, pasi siç tha ai, menaxherët e kësaj ndërmarrjeje po i sakrifikojnë interesat e ndërmarrjes dhe punëtorëve për interesa të tyre personale.
“Prolongimi i privatizimit të këtij kompleksi është gabim, sepse ne tash po hyjmë në sezon, ndërsa gjendja në atë resor është e tmerrshme”, tha Dugolli, i cili shtoi se nuk ka alternative tjetër përveç privatizimit të këtij kompleksi.
Duke folur për çështjen e “Trepçës”, ministri Dugolli ka theksuar se kryeministri i Kosovës dhe PSSP-ja duhet të bisedojnë për këtë ndërmarrje strategjike, ku sipas tij, pasi që sipas tij lidhur me çështjen e “Trepçës” nuk duhet të merren vendime afatgjate.
Ministri Dugolli ka kërkuar nga PSSP-ja që të vazhdojë me mbrojten e “Trepçës” nga kreditorët e ndryshëm. Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Minierave, sipas tij, duhet të dalë me strategjinë sa i për ketë kësaj ndërmarrjeje.
Ai ka bërë të ditur se përzgjedhja e administratorit ndërkombëtar të “Trepçës” është ndërprerë për momentin.
Bordi i AKM-së, gjithashtu ka vendosur që Bordi i drejtorëve të KEK-ut të rikompozohet, ndërsa i ka bërë thirrje Aeroportit të Prishtinës së para se të vendosë për marrjen e një kredie afatgjate prej BERZH-it, të bëjë një shqyrtim i detaj të kushteve të kredisë.
“Nëse kamatat tashmë janë më të larta për shkak të mosdefinimit të statusit final, atëherë është mirë që të presim edhe disa muaj deri në zgjedhjen e statusit përfundimtar, në mënyrë që atëherë të marrim një kredi me kushte me të volitshme nga BERZH-i”, ka pohuar Dugolli.
Në anën tjetër, Bordi i AKM-së ka konfirmuar marrëveshjen strategjike ndërmjet Postë Telekomit të Kosovës dhe kompanisë angleze “Cable and Wireless”.
Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Paul Acda, tha se Bordi është informuar rreth proceseve që po zhvillohen rreth hotelit “Grand”, dhe shtoi se AKM-ja tani është duke pritur vendimin e Odes Speciale të Gjykatës Supreme.
“Oda e Veçantë e Gjykatës Speciale ka kohë që deri më 4 tetor të marrë vendim lidhur me shitjen e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë, por ka mundësi që një vendim i tillë të merret edhe më herët”, tha ai.
Ndërsa ministri Dugolli tha se i është kërkuar nga Odës Speciale që sa më shpejtë të marrë vendim rreth privatizimit të këtij hoteli.
Bordi gjithashtu sot ka vendosur që të shpallë edhe rrethin e 19 të privatizimit, në të cilin do të privatizohen 31 ndërmarrje, nga të cilat do të krijohen 45 ndërmarrje të reja.
Në këtë rreth të privatizimit, i cili nga AKM-ja cilësohet si më i madhi, vetëm një ndërmarrje do të privatizohet më “spin-off” special.