Monday, September 25, 2006
SINDROMI I KEK-UT DHE ESBI-JA
Esenca e problemit me ESBI-n nuk është niveli i pagave që marrin menaxherët e saj, por kontrata që Qeveria e Kosovës, në kohën kur kryeministër ka qenë Bajram Rexhepi ka nënshkruar një kontratë me ESBI-në, e cila nuk parasheh mekanizma të përcjelljes për shumë pika, por e cila lejon që të shumëfishohen shumat të cilat do të derdhen në emër të kësaj kontrate, ndërkohë që asnjë prej pikave që parashihen në kontratë nuk është e domosdoshme që të mos plotësohen për t’u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë.
Koment nga Vehbi Miftari
1.
Kam përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në KEK, sidomos më ka interesuar mënyra se si plasohet një skandal potencial në media, se si ai përcillet nga njëri medium në tjetrin, se si stërzgjatet për shkak të inertësisë së institucioneve të drejtësisë dhe se si përfundon në fund vetëm si një re pluhuri për të cilën askush nuk dëshiron të rikujtohet, duke i lënë gazetarët edhe ata më profesionistët, në zhgënjim të thellë. Të gjithë këta elementë që u përmendën mendoj se janë pjesë e zinxhirit i cili e çrëndomtëson edhe rastin më të pazakontë, duke e kthyer rolin e mediave në një element të pafuqishëm karshi burokracisë së shtresuar dhe mungesës së mekanizmave për të rregulluar qoftë edhe një detaj nga fyerjet që u bëhen qytetarëve të Kosovës në emër të po këtyre qytetarëve.
2.
Nuk them se mediat nuk kanë pasur një faj në gjithë këtë fushatë. Madje, më duket e pasinqertë dhe investim i gabuar që të gjithë gazetarët të mblidhen në sallën për konferenca me gazetarë dhe të insistojnë të dinë se sa e paskësh rrogën akëcili menaxher në KEK, dhe këtë e bëjnë për një javë rresht, ndërkohë që asnjëri syresh nuk i hulumton shkaqet e vërteta që kanë sjellë në një gjendje të tillë, kur atyre që provojnë të zbulojnë një të vërtetë u mbyllen dyert me furi. Fundja, John Ashley është menaxher i KEK-ut, por që paguhet nga organizata që e ka sjellë këtu, dhe ai ka të drejtë të kërkojë pagën edhe 450.00 euro, nëse për këtë pajtohet punëdhënësi i tij. Esenca e problemit qëndron gjetiu: në kontratën që Qeveria e Kosovës, në kohën kur kryeministër ka qenë Bajram Rexhepi ka nënshkruar një kontratë me ESBI-në, e cila nuk parasheh mekanizma të përcjelljes për shumë pika, por e cila lejon që të shumëfishohen shumat të cilat do të derdhen në emër të kësaj kontrate, ndërkohë që asnjë prej pikave që parashihen në kontratë nuk është e domosdoshme që të mos plotësohen për t’u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë. Ta zëmë, kompania menaxhuese duhet të garantojë rritje të inkasimit, por askund nuk përmendet pragu minimal dhe çfarëdo inkasimi mund të quhet sukses, prandaj më së paku mund të fajësohet kompania ESBI për mosinkasim të mjaftueshëm!! Ata mund të thonë: e rëndësishme është që ne e kemi rritur shkallën e inkasimit. Ose: furnizimi 24-orësh me energji elektrike për konsumatorët që e paguajnë atë. Nuk mbaj mend shkelje më të madhe të të drejtave të konsumatorëve në Kosovën e pasluftës sesa aplikimi i planit, ose i planeve të modifikuara të KEK-ut, të cili parasheh shkyçjen kolektive si instrument për rritjen e inkasimit. Furnizimi i rregullt me energji është kusht i domosdoshëm për ekzistimin e një kompanie. Mospagesa është legjitimim individual i shkyçjeve e cila mund të jetë vetëm individuale, por dënimi kolektiv në emër të së drejtës së kompanisë është i sanksionueshëm.
3.
Përgjegjësia më e madhe, prandaj, është përgjegjësia morale që institucionet e Kosovës kanë karshi qytetarëve të saj. Nëse ESBI-ja nuk e furnizon me rrymë 24 orë atë, është shenjë se ose kontrata nuk i ka përfshirë kushtet e domosdoshme, ose qeveria nuk është e fuqishme të bëjë presion mbi atë kompani që t’i përmbush detyrimet që dalin nga kontrata. Këto janë “mëkate” të mediave, por a mund të quhen mediat fajtore për nivelin e tmerrshëm të dallimeve në pagesë mes menaxherëve të kompanive publike, sikur është KEK-u, dhe, ta zëmë, shërbyesve civilë ose profesorëve të universitetit? A mund të quhen mediat fajtore nëse ministri Çeku nga kritikuesi më i madh i punës në KEK, përnjëherësh shndërrohet në anëtar të bordit të kësaj kompanie, duke e modifikuar skajshmërisht fjalorin e tij politik në raport me këtë kompani? Dhe, më tej, a mund të fajësohen gazetarët pse këmbëngulja e tyre për të dokumentuar çfarëdo shkeljeje në vend “shpaguhet” me heshtje”? KEK-u është kompani publike dhe si e tillë ajo duhet t’u nënshtrohet ligjeve aktuale në vend.