Friday, September 22, 2006

 

Tatimorët thonë se kanë tejkaluar planin për 1.7 mil. €

Drejtues të Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), të mërkurën theksuan së gjatë periudhës nëntëmujore, kjo administratë ka arritur që të grumbullojë për buxhetin e Kosovës rreth 127.9 milionë €, që sipas tyre, paraqet tejkalim të planit për 1.7 milion euro.
Drejtuesit e ATK-së, në të njëjtën kohë, pranuan së vlera e borxheve që subjektet e ndryshme biznesore i kanë ATK-së, arrin vlerat e 160 milionë euro, kurset vlera e atyre borxheve, të cilat ATK-ja i konsideron si të pambledhshme kapin shumën e 11 milionë euro.
Januz Krasniqi, drejtor i ATK-së, gjatë një konference për gazetarë tha se plani i vitit 2006, ishte në vlerën 126.2 milionë euro. Ky plan sipas tij, është tejkaluar tre muaj përpara përfundimit të nëntë mujorit, që do të thotë se deri në atë kohë nga ATK-ja janë mbledhur rreth 127.9 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe, nga tatimi në të ardhurat personale, ATK-ja ka arritur që të grumbullojë 34.5 milionë euro, nga tatimit në vlerën e shtuar 32 milionë euro, nga të ardhurat e korporatave 50 milionë euro, si dhe nga tatimi fitim dhe tatimi i paragjykuar ka grumbulluar rreth 11.4 milionë euro.
ATK-ja, sipas Krasniqit, ka edhe probleme me evazionin fiskal dhe në mbledhjen e borxheve, që janë në vlerë afro 160 milionë euro.
Për shkak të evazioni fiskal (ikjes nga pagesa e tatimit) ATK gjatë kësaj periudhe nuk ka mundur që të grumbullojë rreth 70.4 milionë euro.
Kur është fjala te mbledhja e borxheve, sipas drejtuesve të ATK-së, problemi më i theksuar është tek mbledhja e borxheve të ish-ndërmarrjeve shoqërore, tashme të privatizuara, të cilat ATK-së i kanë borxh rreth 33.5 milionë euro.
Ndryshe, që nga themelimi i saj, në janar të vitit 2000, në Administratën Tatimore të Kosovës e deklarojnë dhe e paguajnë tatimin rreth 42 mijë biznese të shpërndara në tërë territorin e Kosovës.

Comments: Post a Comment

<< Home

This page is powered by Blogger. Isn't yours?