Tuesday, October 03, 2006

 

DISKURSI POLITIK i OKB-së DHE KOSOVA

Nën administrimin e z. Jesen Petersen ka ndryshuar pozicioni i KB-ve në Kosovë: nga një administratë e cila nuk e ka të qartë se çfarë kërkon në Kosovë, në një administratë përkrahëse për proceset politike në Kosovë. Faza finale po afron, edhe për vetë OKB-në në Kosovë.

Vehbi Miftari

Shtatë vjet më parë askush nga të huajt në Kosovë nuk fliste për pavarësinë. Qendrat e vendimarrjes në Evropë e përmendnin, ndonjëherë pothuajse përqartë, rezolutën 1244. Vetëm ndonjëri që ishte me pragamtik guxonte të fliste për një autonomi për shqiptarët e Kosovës, gjithnjë duke ua mbajtur para hundëve rezolutën 1244.
Vetëm kryetari i Kosovës, dr. Rugova, fliste hapur për atë që ishte e pashmangshme: pavarësinë e Kosovës, si vullnet i popullit të saj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më të cilat lëvizjen politike të Kosovës e lidhte parimi i lirisë, ishin më të përmbajtura dhe vazhdimisht thërrisnin për progres, pa paragjykuar statusin përfundimtar të Kosovës. Diskursi i tyre i matur nuk ishte pasojë e dilemave rrëth së ardhmes politike të Kosovës, sepse ata e patën demonstruar në praktikë përkushtmin e tyre për përhapjen e lirisë në botë, duke përdorur për herë të parë në historinë e alenacës më të fuqishme, NATO-s, për mbrojtjen e të drejtës humanitare: mbrojtjen e një populli të pafajashëm nga spastrimi etnik.

Diskursi politik i administratës së presidentit Klinton ishte i matur për të amortizuar një pamaturi politike dhe një heterogjenitet në qëndrime të qendrave të ndryshme botërore, si dhe për të mbrojtur karakterin thellësisht të drejtë të sulmeve ajrore ndaj forcave jugosllave. Më vonë ky diskurs ka evoluar, deri në deklaratën e këshilltarit të presidentit Xhorxh Bush, Bruce Jackson, se duhet bërë hapin vendimtar për pavarësinë e Kosovës. Por, në ndërkohë, kanë kaluar gjashtë vjet përkushtim për Kosovën dhe frustrimi politik i disa vendeve u amortizua me një praktikë politike shumë pragmatike.

Kombet e Bashkuara – kombe të ndara

Diskursi elementar i Kombeve të Bashkuara, përmes administratës së instaluar në Kosovë, ishte i tejet heterogjen që nga fillimi. Ai varej nga lëvizjet emocionale (më shumë se politike) të populllatës joshumicë në Kosovë dhe, pse jo, nga pikëpamjet politike të administratorëve të saj këtu. E, Kosova e vazhdonte patrembshëm rrugën e saj drejt pavarësisë, sepse stabiliteti politik e determinonte kërkesën politike për zgjidhjen e statusit të saj në bazë të vullnetit të popullit të saj. Por, cili ka qenë ralisht diskursi politik i gjithë këtyre qednrave në këto pesë vite? Sa ka ndryshuar ai brenda më pak se një viti? Pse?

Administratori i parë i Kosovës, tashmë i ndjeri De Leilo, pothuajse nuk është dukur fare. Madje, shumica dërrmuese e popullit të Kosovës nuk e di se ka patur një administrator të KB-ve para humanistit të zhytur në politikë, Bernard Kushnerit. Ai ka përgatitur instalimin e një misioni të KB-ve në Kosovë dhe këtë e ka arritur, anipse në heshtje.

Kryeadministratori i dytë, z. Kushner, mjek me profesion, erdhi ta plasonte porosinë për “dashurinë mes njerëzve”, për ta larguar urejtjen. Mision paksa etik, por jo politik. Diskursi i tij politik është diksurs i priftit të veshur me petkun e gjykatësit. Veprimet politike të tij janë veprime kurative për një shoqri të postrtraumatizuar. Nuk them se ka qenë i panevojshëm ky diskurs.

Përkundrazi. Në mendjet e popullatës së Kosovës ai mbahet mend si administrator i urtë, i cili jep shenja të dashurisë mes njerëzve dhe është i gatshëm të gjendet kudo ku ka probleme. Por, një administrator është për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i vajtuar ato. Ekonomia e vendit vazhdoi të jetonte në terr, si edhe popullata e saj. Ndërkohë nga ta kërkohej të ishin të urtë e paqedashës, një veti të cilën popullli i Kosovës e ka të trashëguar, sikur e ka dëshmuar historia dymijëvjeçare e tij. Por, le t’i kthehemi diskursit të tij politik.

Z. Kushner, njeriu i dashur i popullit të Kosovës (Universiteti i Prishtinës ia ka dhënë çmimin „Doctor honoris causa“) fliste pak për zjgidhjen politike të statusit të Kosovës. Ai e kishte biblën e vet: rezolutën 1244, të cilës i rrëfehej dhe nga e cila përpiqej të mësonte, e në të cilën, realisht, besonte shumë pak. Por, duket se e kishte gjetur gurin e çmuar: mjftonte t’i shtyje njerëzit në dashuri, që të zgjidhje pastaj problemin e tyre. Por, e humbi vetë atë, sepse ekonominë e vendit e çoi drejt shkatërrimit të përgjithshëm.

Administratori i tretë, njeriu ”i hekurt”, Hans Hakerup, ishte fytyra tjetër e KB-ve. Ai nuk diskutonte me askë, nuk ofronte zgjidhje për asgjë. La përshtypjen se nuk intersohej për asgjë. E megjithatë, dokumentet që i nënshkroi, dhe ato që mendonte t’i nënshkruante, vazhdojnë edhe sot të sjellin kokëqarje në mendjet e njerëzve të Kosovës. Duket se pas “infuzionit social” që dha z. Kushner në Kosovë, duhej njeriu që do „t’i mësonte“ të trajtuarit se si të jetojnë. Por, humbi në mjegullën e leksioneve për shkretëtirat e Saharasë në zemër të Evropës, në themelet e qytetërimit të saj, madje.

Z. Shtajner, njeriu i buzëqeshjeve të gjata e pa shkas ndonjëherë, sikur erdhi ta riparonte atë që ishte dëmtuar rëndë: imazhin e administratës ndërkombëtare në Kosovë. Ai ishte shumë i dashur, por harronte se përfaqësonte një administratë tejet divergjente. Kjo ndikoi në karrierën e tij. Diplomacia e vendit të tij, i dha një vend margjinal në KB në Gjenevë, duke ia ndaluar të jepte çfarëdo deklarate për Kosovën. Nuk bëri shumë, por u kujtua si njeri karizmatik, i cili është në gjendje të gjej një mes mesa asaj që quhet politikë përfaqësuese dhe politikës reale pragamtike. Ai kërkonte zgjidhje politike, por nuk e ofroi atë. Sidoqoftë, është i pari, mbase, që e ndjeu peshën e status - quo-së në Kosovë.

Z. Holkeri, pasardhësi i tij, bëri be se do t’i shtynte proceset përpara, duke mësuar nga përvoja e pararendësve të tyre. Ai ndërmorri hapa që janë vendimtar për zhvillimin jo vetëm politik në Kosovë, por edhe për të nisur një proces të zhvillimit, i bindur se pakënaqësitë e popullit të Kosovës me administratën e KB-ve janë para së gjithash të natyrës ekzistenciale. Në Kosovë nuk ka ekzistuar asnjëherë droja për zgjidhjen e çështjes së saj. Populli i saj, i mbrujtur me besim mahnitës në vetvete, ka qenë gjithnjë i bindur se zgjidhja e statusit do të mbetet në duart e tij.

Këtë formë politike e ka të trashëguar nga lëvizja politike e viteve ’90. Mënyra se si raportonte z. Holkeri në KS të OKB-ve dhe përmbajtja e këtyre raporteve e ngacmonte politikën e disa vendeve, duke e shdnërruar haptazi Kombet e Bashkuara, e më këtë edhe administratën e saj në Kosovë, në qendër të kombeve të ndara e të qëllimeve politike unilaterale.

Petersen, ose demokracia përtej bruokracisë

Z. Jesen Petersen erdhi për të gjetur zgjidhje për Kosovën, jo për të reflektuar unitetin që mungonte vazhdimisht. Ai u shndërrua shpejt në pjesë të proceseve plitike në Kosovë, jo në vëzhgues të tyre,. Aq më pak mund të identifikohet me kërkesat politike të KB-ve. Ai i njohu shpejt paradigmat që do ta përcaktonin profilin e tij politik në Kosovë, pradaj iu shtrua një kërkese themelore politike: të ndiqte vullnetin e popullit për zhvillim të përgjithshëm.

Diskursi i tij politik, ndryshoi nga paraardhësit: Kosova u njoh prej tij si entitet i pavarur politik, i cili i përcakton kahet e zhvillimit të vet. Ai e liroi administratën e KB-ve nga pengu politik: obskurantizmi serb. Për Kosovën, vendimet politike merren në Prishtinë, përsëriste ai. Kjo e ndryshoi rrënjësisht diskursin politik të KB-ve, e cila nuk kërkonte më ringjlljen e autonomisë, por zgjidhje politike për Kosovën. Ai ka mbrojtur një autoritet të KB-ve që ajo realisht nuk e kishte.

Ai doli përmbi burokracinë dhe i hapi shtigjet e demokracisë. Përfitues mund të jetë politika e Kosovës, por përfitues më i mad është vetë OKB-ja. Prandaj, them se ka ndryshuar pozicioni i KB-ve në Kosovë: nga një administratë e cila nuk e ka të qartë se çfarë kërkon në Kosovë, në një administratë përkrahëse për proceset politike në Kosovë. Faza finale po afron, edhe për vetë OKB-në në Kosovë. Z. Petersen me OKB-në e lidh kursi i punëdhënies, por jo edhe parimet themelore demokratike. Të tillat ai i gjen në dëmokracinë morale, më tepër se në programin politik (nëse ekziston) të administratës që përfaqëson.

Marrë nga libri i të njejtit autor: "Kosova, etika politike"


Comments: Post a Comment

<< Home

This page is powered by Blogger. Isn't yours?