Monday, September 25, 2006

 

SINDROMI I KEK-UT DHE ESBI-JA

Esenca e problemit me ESBI-n nuk është niveli i pagave që marrin menaxherët e saj, por kontrata që Qeveria e Kosovës, në kohën kur kryeministër ka qenë Bajram Rexhepi ka nënshkruar një kontratë me ESBI-në, e cila nuk parasheh mekanizma të përcjelljes për shumë pika, por e cila lejon që të shumëfishohen shumat të cilat do të derdhen në emër të kësaj kontrate, ndërkohë që asnjë prej pikave që parashihen në kontratë nuk është e domosdoshme që të mos plotësohen për t’u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë.

Koment nga Vehbi Miftari

1.

Kam përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në KEK, sidomos më ka interesuar mënyra se si plasohet një skandal potencial në media, se si ai përcillet nga njëri medium në tjetrin, se si stërzgjatet për shkak të inertësisë së institucioneve të drejtësisë dhe se si përfundon në fund vetëm si një re pluhuri për të cilën askush nuk dëshiron të rikujtohet, duke i lënë gazetarët edhe ata më profesionistët, në zhgënjim të thellë. Të gjithë këta elementë që u përmendën mendoj se janë pjesë e zinxhirit i cili e çrëndomtëson edhe rastin më të pazakontë, duke e kthyer rolin e mediave në një element të pafuqishëm karshi burokracisë së shtresuar dhe mungesës së mekanizmave për të rregulluar qoftë edhe një detaj nga fyerjet që u bëhen qytetarëve të Kosovës në emër të po këtyre qytetarëve.

2.

Nuk them se mediat nuk kanë pasur një faj në gjithë këtë fushatë. Madje, më duket e pasinqertë dhe investim i gabuar që të gjithë gazetarët të mblidhen në sallën për konferenca me gazetarë dhe të insistojnë të dinë se sa e paskësh rrogën akëcili menaxher në KEK, dhe këtë e bëjnë për një javë rresht, ndërkohë që asnjëri syresh nuk i hulumton shkaqet e vërteta që kanë sjellë në një gjendje të tillë, kur atyre që provojnë të zbulojnë një të vërtetë u mbyllen dyert me furi. Fundja, John Ashley është menaxher i KEK-ut, por që paguhet nga organizata që e ka sjellë këtu, dhe ai ka të drejtë të kërkojë pagën edhe 450.00 euro, nëse për këtë pajtohet punëdhënësi i tij. Esenca e problemit qëndron gjetiu: në kontratën që Qeveria e Kosovës, në kohën kur kryeministër ka qenë Bajram Rexhepi ka nënshkruar një kontratë me ESBI-në, e cila nuk parasheh mekanizma të përcjelljes për shumë pika, por e cila lejon që të shumëfishohen shumat të cilat do të derdhen në emër të kësaj kontrate, ndërkohë që asnjë prej pikave që parashihen në kontratë nuk është e domosdoshme që të mos plotësohen për t’u shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë. Ta zëmë, kompania menaxhuese duhet të garantojë rritje të inkasimit, por askund nuk përmendet pragu minimal dhe çfarëdo inkasimi mund të quhet sukses, prandaj më së paku mund të fajësohet kompania ESBI për mosinkasim të mjaftueshëm!! Ata mund të thonë: e rëndësishme është që ne e kemi rritur shkallën e inkasimit. Ose: furnizimi 24-orësh me energji elektrike për konsumatorët që e paguajnë atë. Nuk mbaj mend shkelje më të madhe të të drejtave të konsumatorëve në Kosovën e pasluftës sesa aplikimi i planit, ose i planeve të modifikuara të KEK-ut, të cili parasheh shkyçjen kolektive si instrument për rritjen e inkasimit. Furnizimi i rregullt me energji është kusht i domosdoshëm për ekzistimin e një kompanie. Mospagesa është legjitimim individual i shkyçjeve e cila mund të jetë vetëm individuale, por dënimi kolektiv në emër të së drejtës së kompanisë është i sanksionueshëm.

3.

Përgjegjësia më e madhe, prandaj, është përgjegjësia morale që institucionet e Kosovës kanë karshi qytetarëve të saj. Nëse ESBI-ja nuk e furnizon me rrymë 24 orë atë, është shenjë se ose kontrata nuk i ka përfshirë kushtet e domosdoshme, ose qeveria nuk është e fuqishme të bëjë presion mbi atë kompani që t’i përmbush detyrimet që dalin nga kontrata. Këto janë “mëkate” të mediave, por a mund të quhen mediat fajtore për nivelin e tmerrshëm të dallimeve në pagesë mes menaxherëve të kompanive publike, sikur është KEK-u, dhe, ta zëmë, shërbyesve civilë ose profesorëve të universitetit? A mund të quhen mediat fajtore nëse ministri Çeku nga kritikuesi më i madh i punës në KEK, përnjëherësh shndërrohet në anëtar të bordit të kësaj kompanie, duke e modifikuar skajshmërisht fjalorin e tij politik në raport me këtë kompani? Dhe, më tej, a mund të fajësohen gazetarët pse këmbëngulja e tyre për të dokumentuar çfarëdo shkeljeje në vend “shpaguhet” me heshtje”? KEK-u është kompani publike dhe si e tillë ajo duhet t’u nënshtrohet ligjeve aktuale në vend.


 

“Vala 900” ulë çmimin e sms-ve në 8 centë

Operatori i vetëm legal i telefonisë mobile në vend, “Vala 900”, njoftoi të premten se ka bërë zbritjen e çmimit të sms-ve prej 13 centë, në 8 centë, çmim ky i cili vlen vetëm për dërgesat brenda rrjetit të “Valës 900”.

Etrur Rrustemaj, drejtor menaxhues i PTK-së, theksoi më këtë rast se zbritja e çmimeve të sms-ve është vetëm një nga lehtësitë e reja që “Vala 900” i ofron konsumatorëve të saj.

“PTK përmes zbritjes së çmimit për shërbimet e ofruara dhe përmes ofrimit të shërbimeve të reja, të cilat ende nuk kanë përfunduar, flet për përkushtimin dhe fokusimin tonë drejt konsumatorit në përmbushjen e kërkesave të tyre”, theksoi ai.

Në njoftimin e lëshuar për media nga Zyra për informim e PTK-së, thuhet se zgjerimi i ofertës për konsumatorët është pjesë e planit të PTK-së dhe njësisë së saj “Vala 900”, për të orientuar biznesin në shërbim të konsumatorëve.

Deri më tash operatori i vetëm legal i telefonisë mobile “Vala 900” ka bërë zbritjen e çmimit të SIM kartelave prej 66 në 15 euro, si dhe ka zbritur çmimin e thirrjeve ndërkombëtare për 50 për qind.

Gjatë këtij viti “Vala 900”, po ashtu ka lansuar shërbimin SMS ndërkombëtar dhe shërbimin roaming për parapaguesit.

Ndërkohë deri në fund të vitit pritet të lansohen edhe shumë shërbime të reja ndër to edhe ai GPRS


 

“Komercijalna Banka” e Serbisë licencohet për operim në Kosovë

Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), pohuan të premten në Prishtinë, së dega e bankës serbe “Komercijalna Banka- Beograd” në Kosovë, përveç raportimit që do të bëjë në BQK, ajo në të njëjtën kohë për veprimtarinë e vetë, do t’i raportojë edhe Bankës Popullore të Serbisë.
“Komercijalna Banka-Beograd” iu është aprovuar licenca për të hapur degët e veta në territorin e Kosovës.
Edhe pse licenca preliminare e degës së “Komercijalna Banka” është aprovuar nga Bordi drejtues i BPK-së, në takimin e mbajtur më 23 gusht 2006, zyrtarizimi i kësaj licence u bë pikërisht në ditën kur institucionet vendore së bashku me UNMIK-un Autoritetin Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (BPK) edhe zyrtarisht e shndërruan në Bankë Qendrore të Kosovës.
Sipas BQK-së, dega e “Komercijalna Banka- Beograd” aktivitetet e veta të biznesit në Kosovë do t’i kryejë nëpërmjet degës kryesore në Mitrovicë dhe tetë zyrave tjera, të cilat kryesisht ndodhen nëpër vendbanimet serbe në Kosovë si: Shtërpcë, Leposaviq, Zubin Potok, Ranilug, Zveçan, Graçanicë, Shillovë dhe Dragash.
Drejtori menaxhues i BQK-së, Michel Svetchine, theksoi se kjo bankë në pajtueshmëri me rregullativën në fuqi, do t’i raportojë BQK-së në lidhje me veprimtaritë e veta dhe në njëjtën kohë për aktivitetet e degës së kësaj banke, kjo bankë do t’i raportojë bankës amë dhe Bankës Popullore të Serbisë.
Sipas drejtuesve të BQK-së, Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka Popullore e Serbisë kanë marrëdhënie të mira profesionale me qëllim të mbrojtjes së depozitorëve dhe klientëve të bankave komerciale.
BPK-ja e ka mirëpritur rregullimin e aktiviteteve të “Komercijalna Bankës”, e cila, sipas tyre, nuk do të funksionojë si strukturë paralele, por si strukturë ligjore.
Qëllimi i bankës serbe është që të kenë një rritje modeste, duke kryer aktivitetet tradicionale bankare për individët dhe ndërmarrjet e vogla. Objektivat e biznesit të tyre janë pagesat për ekonominë shtëpiake, si dhe pagesat ndërkombëtare të cilat orientojnë zakonisht kompanitë që merren me tregti, bujqësi dhe ndërtimtari.

 

BPK edhe zyrtarisht bëhet Bankë Qendrore e Kosovës

UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, të premten edhe zyrtarisht shpallën Autoritetin Bankar dhe të Pagesave (BPK) si Autoritet Bankar Qendror të Kosovës (BQK), më çka kjo bankë merr më shumë përgjegjësi në mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit financiar në Kosovë.
Autoriteti Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (BPK) u shndërrua në Bankë Qendrore të Kosovës, përmes një rregulloreje të nënshkruar nga shefi i administratës ndërkombëtar Joachim Ruecker.
Paul Acda, ushtrues detyre e shefit të Shtyllës IV të UNMIK-ut, tha me këtë rast, se hartimi i rregullores se re, përmes të cilës BPK-ja shndërrohet në BQK, është përgatitur në bashkëpunim më institucionet financiare ndërkombëtare, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe me komponentët e ndryshëm të UNMIK-ut.
“Transferimi i Autoritetit Bankar të Pagesave në Autoritetin Qendror të Pagesave të Kosovës është edhe një përpjekje e administratës se UNMIK-ut për bartjen e kompetencave tek institucionet vendore”, tha Acda.
Rregullorja e re, sipas Acda-s, ia bën të qartë BQK-së fushat e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave, studimeve ekonomike si dhe pjesëmarrjen dhe anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), Haki Shatri, tha ndërkaq së pret nga Banka Qendrore e Kosovës që të ndihmojë dhe përkrah zhvillimin e politikave zhvillimore të vendit.
Sipas drejtorit menaxhues të BPK-së, tashmë BQK, Michel Svetchine, tash e tutje Banka Qendrore e Kosovës do të kujdeset për funksionimin e sigurisë, solvencës dhe funksionimit efikas të sistemit financiar, të bazuar në treg të qëndrueshëm.
Banka Qendrore, sipas Svetchine, përmes rolit të saj të mbrojtësit të stabilitetit financiar do të kontribuojë në stabilitetin monetar.
Ajri Begu, kryetar i Bordi të BPK-së, tha se shndërrimi i BPK-së në BQK i përgjigjet realitetit të ri të krijuar në Kosovë.
Edhe pse BQK-ja, nuk do të këtë të drejtën e bërjes se politikave monetare, emetimit të parasë, kryetari i Bordit, tha se BQK-ja do të mundohet që t’i gjejë mënyrat për t’i zëvendësuar këto politika.
Me transformimin e BPK-së në BQK, parashihet që Bordi i BQK-së të përbëhet nga 5 anëtarë, prej tyre 3 do të jenë vendorë, ndërsa 2 ndërkombëtarë.
Një përfaqësues i Bordit të ri do të jetë nga UNMIK-u, kurse nga tre anëtarët vendor të bordit, 2 do të emërohen nga Qeveria e Kosovës, kurse anëtari i tretë do të jetë drejtori i Departamentit të Thesarit. Për anëtarët e rinj të bordit duhet merret aprovimi edhe nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë.
Menaxhmenti i BQK-së do të përbëhet nga drejtori i përgjithshëm, i cili do të jetë edhe kryeshef ekzekutiv dhe dy zëvendësdrejtorë të përgjithshëm.
BQK-ja është i vetmi organ përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave, kompanive të sigurimit dhe skemave private pensionale. Çdo bankë tjetër në Kosovë duhet të veprojë në përputhje me rregullat dhe urdhëresat e BPK-së.

Friday, September 22, 2006

 

Menaxherin e dështuar John Ashley KEK-u e paguan gjysmë milioni euro në vit

Sindikalistët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), publikuan të mërkurën pagat e stafit ndërkombëtarë të KEK-ut, sipas të cilëve ato sillen prej 25 mijë deri në 40 mijë euro, ndërsa vetëm për menaxherin John Ashley, KEK-u paguan rreth 40 mijë euro në muaj, ose 480 mijë euro në vit, pa llogaritur të gjitha shpenzimet tjera të cilat ai i ka gratis.
John Ashley është konsideruar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave si i dështuar në menaxhim dhe i është kërkuar disa herë dorëheqja e tij, gjë të cilën e ka bërë në mbledhjen e fundit të Bordit të KEK-ut.
Gjatë udhëheqjes se Ashley-it në KEK, kjo kompani jo vetëm që nuk është bërë kompani e vetëqëndrueshme financiarisht, siç kishte premtuar ai, por përjetoi humbjet me të mëdha financiare në historinë e vet.
Sindikata “Elektrokosovës” e cila grumbullon rreth vetes një pjesë të punëtorëve të KEK-ut, gjatë mbledhjes së kryesisë, i publikoi të dhënat për pagat e stafit ndërkombëtar në korporatë.
“Drejtori menaxhues i KEK-ut, John Ashley, pagë mujore nga KEK-u merr 40 mijë euro, pa llogaritur këtu të gjitha shpenzimet që i bën gjatë udhëtimeve brenda dhe jashtë vendit; zëvendësi i tij paguhet 35 mijë euro në muaj, kurse asistentët e tyre, pagë mujore nga KEK-u marrin nga 25 mijë euro”, deklaroi të mërkurën, Lazër Krasniqi, kryetari i sindikatës “Elektrokosova”.
Gjatë takimit të kryesisë se kësaj sindikate, që u mbajt sot para dyerve të ndërtesës se “Elektrokosovës”, pasi që strukturat udhëheqëse të KEK-ut kishin urdhëruar moslejimin e punëtorëve dhe krerëve të sindikatës që të hyjnë brenda ndërtesës, Krasniqi fajësoi menaxhmentin ndërkombëtar si përgjegjës të drejtpërdrejt për gjendjen e rëndë në KEK.
Sipas tij, ky menaxhment ka dështuar dhe po mundohet që të largohet nga Kosova.
“Ata, (menaxhmenti ndërkombëtar) po largohen nga Kosova duke marrë me vete 7 milionë euro të tatimpaguesve kosovarë, kinse për ngritjen e inkasimit, kurse KEK-un po e lënë në një gjendje edhe me të rëndë financiare se sa që ishte kur ata erdhën në krye të menaxhimit”, tha Krasniqi.
Ai tha se gjatë periudhës se menaxhimit të KEK-ut, borxhet e kësaj kompanie nga 169 milionë sa kishte, janë rritur në 300 milionë euro.
Jozyrtarisht përfaqësues të MEM-it thanë se që nga ardhja e John Ashley në krye të KEK-ut, korporata ka pasur rreth 10 milionë humbje mujore.
Një ndër dështimet e menaxhmentit ndërkombëtar në këtë kompani ishte edhe mosarritja e ndryshimit të proporcionit të humbjeve teknike.
Gjatë kësaj periudhe kjo kompani, nga energjia e tërësishme e prodhuar ka arritur që të inkasojë vetëm 30 për qind të energjisë së prodhuar, pjesa tjetër e energjisë nga menaxhmenti ndërkombëtar është cilësuar si humbje teknike.

 

Tatimorët thonë se kanë tejkaluar planin për 1.7 mil. €

Drejtues të Administratës Tatimore e Kosovës (ATK), të mërkurën theksuan së gjatë periudhës nëntëmujore, kjo administratë ka arritur që të grumbullojë për buxhetin e Kosovës rreth 127.9 milionë €, që sipas tyre, paraqet tejkalim të planit për 1.7 milion euro.
Drejtuesit e ATK-së, në të njëjtën kohë, pranuan së vlera e borxheve që subjektet e ndryshme biznesore i kanë ATK-së, arrin vlerat e 160 milionë euro, kurset vlera e atyre borxheve, të cilat ATK-ja i konsideron si të pambledhshme kapin shumën e 11 milionë euro.
Januz Krasniqi, drejtor i ATK-së, gjatë një konference për gazetarë tha se plani i vitit 2006, ishte në vlerën 126.2 milionë euro. Ky plan sipas tij, është tejkaluar tre muaj përpara përfundimit të nëntë mujorit, që do të thotë se deri në atë kohë nga ATK-ja janë mbledhur rreth 127.9 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe, nga tatimi në të ardhurat personale, ATK-ja ka arritur që të grumbullojë 34.5 milionë euro, nga tatimit në vlerën e shtuar 32 milionë euro, nga të ardhurat e korporatave 50 milionë euro, si dhe nga tatimi fitim dhe tatimi i paragjykuar ka grumbulluar rreth 11.4 milionë euro.
ATK-ja, sipas Krasniqit, ka edhe probleme me evazionin fiskal dhe në mbledhjen e borxheve, që janë në vlerë afro 160 milionë euro.
Për shkak të evazioni fiskal (ikjes nga pagesa e tatimit) ATK gjatë kësaj periudhe nuk ka mundur që të grumbullojë rreth 70.4 milionë euro.
Kur është fjala te mbledhja e borxheve, sipas drejtuesve të ATK-së, problemi më i theksuar është tek mbledhja e borxheve të ish-ndërmarrjeve shoqërore, tashme të privatizuara, të cilat ATK-së i kanë borxh rreth 33.5 milionë euro.
Ndryshe, që nga themelimi i saj, në janar të vitit 2000, në Administratën Tatimore të Kosovës e deklarojnë dhe e paguajnë tatimin rreth 42 mijë biznese të shpërndara në tërë territorin e Kosovës.

 

BPK bëhet bankë qendrore e Kosovës

Shefi i administratës ndërkombëtar në vend (UNMIK) Joachim Ruecker, të mërkurën ka nënshkruar rregulloren e re, përmes të cilës Autoriteti Bankar dhe të Pagesave të Kosovës (BPK) shndërrohet në Autoritetin Qendror Bankar të Kosovës.
Kjo gjë u bë e ditur sot gjatë konferencës se rregullt të UNMIK-ut më gazetarë ku u tha se nxjerrja e rregullores së re është bërë me qëllim që të rritet autoriteti institucional BPK-së, sa i përket mbikëqyrjes, rregullimit dhe licencimin e institucioneve financiare në Kosovë.
Qeveria dhe UNMIK-u, në muajin maj të viti të kaluar janë pajtuar për transferimin e BPK-së në BQK dhe atëbotë është thënë se kanë mbetur vetëm formalitetet teknike, të cilat do të përfundojnë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.
Rregullorja e BPK-së është hartuar më 15 nëntor të vitit 1999 dhe ajo në mungesë të statusit të pazgjidhur të vendit, është deleguar që të kryejë pjesën dërmuese të punëve të një Banke Qendrore.
Me transformimin e BPK-së në BQK, parashihet që Bordi i BQK-së të përbëhet nga 7 anëtarë, prej tyre 5 do të jenë vendorë, ndërsa 2 ndërkombëtarë.
Një përfaqësues i Bordit të ri do të jetë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, një nga Shtylla IV e UNMIK-ut, kurse 5 përfaqësues të tjerë do të jenë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave apo Qeveria, të cilët do të zgjidhen në parlament. Për anëtarët e rinj të bordit duhet merret aprovimi edhe nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë.
BPK-ja është i vetmi organ përgjegjës për licencimin e bankave në Kosovë dhe për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tyre dhe punës së kompanive të sigurimeve dhe skemave private pensionale. Çdo bankë tjetër në Kosovë duhet të veprojë në përputhje me rregullat dhe urdhëresat e BPK-së.

 

Ministria e Financave e pakënaqur me nivelin e inkasimit të tatimit në pronë

Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF), edhe pse pranon se Kuvendet komunale gjatë kësaj periudhe të vitit kanë rritur inkasimin e tatimit në pronë për 7 për qind, ajo është e pakënaqur më angazhimin e tyre dhe njëkohësisht u kërkon që të përmirësojnë edhe me shumë arkëtimin e tatimit në pronë.
Këtë shqetësim, MEF-i e ka paraqitur gjatë publikimit të të dhënave për arkëtimet nga tatimi në pronë për periudhën janar-gusht të këtij viti.
Të dhënat e publikuara nga MEF-i tregojnë se inkasimi i tatimit në pronë gjatë kësaj periudhe nga Kuvendet Komunale (KK) ka shënuar një rritje prej 7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
MEF-i, rritjen e inkasimit prej 7 për qind e konsideron një rritje të vogël dhe u bënë thirrje komunave që të përmirësojnë arkëtimet e tyre nga tatimi në pronë, me qëllim të arritjes së objektivave të tyre.
Gjatë kësaj periudhe, sipas MEF-it, disa komuna kanë arritur më pak se 60 për qind të objektivave të tyre. Në grupin e komunave që nuk kanë arritur pragun prej 60 për qind hyjnë komuna e Novobërdës më 2 për qind të nivelit të inkasimit; komuna e Shtërpcës me 35 për qind; komuna e Vitisë më 37 për qind etj.
Po ashtu, pragun prej 60 për qind në inkasimin tatimit në pronë nuk ka arritur ta kalojë as komuna e Gjakovës, e cila ka arkëtuar vetëm 40 për qind, ajo e Pejës me 43 për qind, Skenderajt me 45 për qind, Istogut me 53 për qind, Gjilanit më 53 për qind; Prizrenit 56 për qind; Fushë Kosovës me 57 për qind, Ferizajt me 57 për qind, si dhe komuna e Deçanit me 58 për qind.
Sipas MEF-it, Kuvendi Komunal i Lipjanit ka arritur objektivat e grantit nxitës të tatimit në pronë qysh në fund të muajit korrik dhe kjo është arritur duke ndërmarrë disa masa të thjeshta detyruese për arkëtimin e tatimit në pronë.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave fuqishëm i inkurajon të gjitha komunat e Kosovës që të zbatojnë masat e ngjashme të inkasimit të detyruar dhe të shfrytëzojnë autoritetin e dhënë me ligj për arkëtimin e tatimit në pronë.
Komunat tjera janë, duke përfshirë Obiliqin, Kamenicën, Kaçanikun, Gllogocin, Vushtrrinë, Mitrovicën, Prishtinën, Rahovecin, Klinën, Dragashin dhe Suharekën, sipas MEF-it janë në rrugë të mirë për të përmbushur objektivin e inkasimit të tatimit në pronë. Megjithatë, këto komuna akoma duhet të mbajnë përqindjet aktuale të inkasimit me qëllim të arritjes së objektivave të tyre.
Granti nxitës i Tatimit në Pronë ishte themeluar për të adresuar problemin e rritjes joadekuate të të hyrave komunale. Tatimi në pronë, në mënyrë mjaft domethënëse ndihmon për të kompensuar nevojat e komunave për shpenzime për shumat e parave që qeveria qendrore është në gjendje të ofroj.
Çdo euro e të hyrave nga tatimi në pronë, e arkëtuar nga komunat mbetet brenda komunës, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve komunale.
Nëse komunat duan të kualifikohen për marrjen e alokimeve të tyre nga granti nxitës, atëherë ato duhet të arrijnë objektivin e tyre të përcaktuar

 

Shtylla IV: ESBI paguhet nga donatorët

Shtylla e katërt e UNMIK-ut potencoi të enjten se Bordi Ndërkombëtar për Furnizim me Energji (ESBI), i cili aktualisht menaxhon me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), paguhet me paratë e donatorëve, ndërkohë që nuk deshi të komentojë nivelin e pagave që ata marrin në KEK.
Ky reagim i Shtyllës IV të UNMIK-ut erdhi një ditë pasi sindikalistët e KEK-ut, publikuan pagat e stafit ndërkombëtar të KEK-ut, sipas të cilëve, ato sillen prej 25 mijë deri në 40 mijë euro në muaj, ndërsa vetëm për menaxherin John Ashley, KEK-u paguan rreth 40 mijë euro në muaj, ose 480 mijë euro në vit, pa llogaritur të gjitha shpenzimet tjera të cilat ai i ka gratis.
Mechthild Henneke, zëdhënëse e Shtyllës IV, gjatë një konferencë më gazetarë në Prishtinë, tha se ESBI ka kontratë dyvjeçare për ta menaxhuar KEK-un dhe për këtë punë ata nuk paguhen as nga buxheti i KEK-ut, e as nga Qeveria e Kosovës, por nga donatorët.
Ajo tha se është Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), ka bërë vlerësimin e punës së ESBI-së në Kosovë, e cila ka rezultuar të jetë pozitive, por Henneke nuk dha asnjë fakt lidhur me këtë konstatim.
Duke u përgjigjur në interesimin e gazetarëve, rreth të arriturave që kompania ESBI i ka pasur gjatë menaxhimit me KEK-un, zëdhënësja e Shtyllës IV tha se ekspertët e USAID-it i kanë bërë një vlerësim të punës se kësaj kompanie, dhe rezultati i këtij vlerësimi ka dalë të jetë më se pozitiv.
Ndërkaq zëdhënësja e KEK-ut, Donika Kada-Bujupi, theksoi se edhe pas dy vjet të menaxhimit të KEK-ut nga ESBI, kjo korporatë vazhdon të përballët më borxhe të mëdha, mirëpo këtë fakt zëdhënësja e KEK-ut, nuk e konsideroi si dështim të menaxherëve të ESBI-së në KEK.
Ndryshe, sipas shifrave që ka publikuar sindikata “Elektrokosova”, del se gjatë periudhës se menaxhimit të KEK-ut nga ESBI, borxhet e kësaj kompanie nga 169 milionë sa kishte, janë rritur në 300 milionë euro.
Një ndër dështimet e menaxhmentit ndërkombëtar në këtë kompani ishte edhe mosarritja e ndryshimit të proporcionit të humbjeve teknike.
Gjatë kësaj periudhe, kjo kompani, nga energjia e tërësishme e prodhuar ka arritur që të inkasojë vetëm 30 për qind të energjisë së prodhuar, ndërsa pjesa tjetër e energjisë nga menaxhmenti ndërkombëtar është cilësuar si humbje teknike.
Zyrtarë të KEK-ut, ndonëse prapë i quajtën të pavërteta listat e publikuara nga sindikalistët e KEK-ut, sipas të cilëve menaxherët vendorë të korporatës marrin paga astronomike deri në 4.200 € në muaj, nuk paraqitën ndonjë kundërargument, përveç kundërshtimeve deklarative.
Zëdhënësja e KEK-u, Kada-Bujupi, ripohoi se shifrat e publikuara ditë më parë për pagat dhe përfitimet tjera të menaxherëve të KEK-ut, janë plotësisht të paqëndrueshme, të pasakta, të hiper-ekzagjeruara dhe ofenduese.
Ajo tha se mospublikimi i listës së pagave nga ana e menaxhmentit të KEK-ut, po bëhet konform kontratës që kompania ka nënshkruar me punëtorët e cila, sipas Kada-Bujupit, nivelin e pagave e konsideron çështje konfidenciale.

 

Brezovica privatizohet pas definimit të statusit të Kosovës

Bordi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), më kërkesë të përfaqësuesve të pushtetit lokal të Shtërpcës dhe pa pëlqimin e anëtarëve vendor të bordit, të enjten, vendosi që procesin e privatizimit të kompleksit turistik “Brezovica”, ta shtyjë deri pas definimit të statusit politik të vendit.

Këtë qëndrim të Bordit të AKM-së, e bëri publik shefi i ri i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Paul Acda, i cili pohoi se pro shtyrjes së procesit të privatizimit të këtij kompleksi janë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Shtërpcës.

“Duke pasur parasysh zhvillimin e negociatave për statusin e Kosovës, dhe procesit momental që po zhvillohet në Nju Jork, kemi vendosur që privatizimi i ‘Brezovicë’ mos të bëhet derisa komuniteti lokal e refuzon këtë gjë, pra pas definimit të statusit politik”, tha Acda.

Ai tha se gjatë javës se kaluar ka pasur disa takime me krerët komunalë të Shtërpcës, të cilët sipas tij, do të ishin të lumtur me privatizimin e këtij kompleksi turistik, nëse një gjë e tillë do të bëhej pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

“Jemi në kontakt të përditshëm me menaxherët dhe problemi nuk qëndron rreth asaj se a duhet të bëhet privatizimi ose jo, por kur të bëhet ai”, theksoi Acda, i cili beson se çështjen e privatizimit të “Brezovicës” do ta trashëgojë institucioni i cili do ta trashëgojë AKM-në dhe UNMIK-un pas largimit të tyre nga Kosova.

Ndryshe, ish-shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, para një muaji në Shtërpcë, ia pati bërë të qartë udhëheqësisë se kësaj komune dhe kryesuesit të delegacionit të Serbisë për bisedime për çështje ekonomike, se privatizimi i kompleksit turistik “Brezovica” do të bëhet, edhe përkundër akuzave të rënda në mbarëvajtjen e tij dhe kërkesës së palës serbe që ky proces të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Nga ana e tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bujar Dugolli, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i Bordit të AKM-së, tha se ai nuk është pajtuar me shtyrjen e afatit të privatizimit të këtij kompleksi, pasi siç tha ai, menaxherët e kësaj ndërmarrjeje po i sakrifikojnë interesat e ndërmarrjes dhe punëtorëve për interesa të tyre personale.

“Prolongimi i privatizimit të këtij kompleksi është gabim, sepse ne tash po hyjmë në sezon, ndërsa gjendja në atë resor është e tmerrshme”, tha Dugolli, i cili shtoi se nuk ka alternative tjetër përveç privatizimit të këtij kompleksi.

Duke folur për çështjen e “Trepçës”, ministri Dugolli ka theksuar se kryeministri i Kosovës dhe PSSP-ja duhet të bisedojnë për këtë ndërmarrje strategjike, ku sipas tij, pasi që sipas tij lidhur me çështjen e “Trepçës” nuk duhet të merren vendime afatgjate.

Ministri Dugolli ka kërkuar nga PSSP-ja që të vazhdojë me mbrojten e “Trepçës” nga kreditorët e ndryshëm. Ndërsa Ministria e Energjisë dhe Minierave, sipas tij, duhet të dalë me strategjinë sa i për ketë kësaj ndërmarrjeje.

Ai ka bërë të ditur se përzgjedhja e administratorit ndërkombëtar të “Trepçës” është ndërprerë për momentin.

Bordi i AKM-së, gjithashtu ka vendosur që Bordi i drejtorëve të KEK-ut të rikompozohet, ndërsa i ka bërë thirrje Aeroportit të Prishtinës së para se të vendosë për marrjen e një kredie afatgjate prej BERZH-it, të bëjë një shqyrtim i detaj të kushteve të kredisë.

“Nëse kamatat tashmë janë më të larta për shkak të mosdefinimit të statusit final, atëherë është mirë që të presim edhe disa muaj deri në zgjedhjen e statusit përfundimtar, në mënyrë që atëherë të marrim një kredi me kushte me të volitshme nga BERZH-i”, ka pohuar Dugolli.

Në anën tjetër, Bordi i AKM-së ka konfirmuar marrëveshjen strategjike ndërmjet Postë Telekomit të Kosovës dhe kompanisë angleze “Cable and Wireless”.

Shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Paul Acda, tha se Bordi është informuar rreth proceseve që po zhvillohen rreth hotelit “Grand”, dhe shtoi se AKM-ja tani është duke pritur vendimin e Odes Speciale të Gjykatës Supreme.

“Oda e Veçantë e Gjykatës Speciale ka kohë që deri më 4 tetor të marrë vendim lidhur me shitjen e hotelit ‘Grand’ në Prishtinë, por ka mundësi që një vendim i tillë të merret edhe më herët”, tha ai.

Ndërsa ministri Dugolli tha se i është kërkuar nga Odës Speciale që sa më shpejtë të marrë vendim rreth privatizimit të këtij hoteli.

Bordi gjithashtu sot ka vendosur që të shpallë edhe rrethin e 19 të privatizimit, në të cilin do të privatizohen 31 ndërmarrje, nga të cilat do të krijohen 45 ndërmarrje të reja.

Në këtë rreth të privatizimit, i cili nga AKM-ja cilësohet si më i madhi, vetëm një ndërmarrje do të privatizohet më “spin-off” special.


This page is powered by Blogger. Isn't yours?